Index -> Ruh ->

SHTATĖ DITĖT DHE SHTATĖ QIEJT E NAMAZIT (2)

“Bëhu!” është fjala nga e cila u shfaq ekzistenca dhe gjalloi njeriu i parë i cili, ngaqë nuk kishte nënë, nuk e dimë nëse erdhi në botë me kërthizë apo pa të. Por, sido që të ketë ardhur, ai prapë ishte qenie që e kishte merituar nderimin jo për arsye të përbërjes së trupit nga uji e dheu, por se në qenien e tij fryu “Ai që ka krijuar qiejt dhe Tokën për gjashtë ditë, teksa Froni i Tij ndodhej mbi ujë...” (11/7). Planeti ku frymon njeriu, gjithashtu përbëhet nga uji e dheu por, fryma i pamundësoi atij që të jetë vetëm bartës i ujit e i dheut. Kjo frymë, gjithmonë kërkon diçka tjetër, diçka më shumë se kjo botë në të cilën njeriu ndërtoi tregjet për të shitur mallra, e mjerisht, jo rrallëherë, e shiti edhe veten me çmim më të ulët se vlera e mallrave që nxori vetë në treg. Në njërin nga këto tregje, kishte ndodhur që njëherë në një pasdite, të pëlciste një tub kanalizimi nëpër të cilin kalonin jashtëqitjet njerëzore dhe nga kundërmimi i erës njerëzit po iknin të neveritur. I ndodhur në këtë rrëmujë, njëri nga njerëzit u afrua tek tubi i shpërthyer dhe qetësisht po vështronte fekalet njerëzore, duke ua ngjallur kureshtjen një numri jo të vogël njerëzish të cilët u kthyen për të kuptuar arsyen e mosikjes së këtij njeriu nga vendi ku qëndrimi po bëhej i papërballueshëm. Pyetjes së masës që synonte ta dinte “pse-në” e qendrimit të tij pranë fekaleve, ai iu përgjigj me pak fjalë: Paradite, ne qeniet njerëzore dolëm në treg dhe e blemë me lekë këtë nga e cila po ikim mbasdite, andaj po e shikoja dhe njëkohësisht po mendoja, sikur të mund të fliste kjo jashtëqitje e shpifur, do të pyeste: “A duhet të ikni ju nga unë apo unë nga ju?!” Por, ç’e do që gjërat nuk u shfaqën për të folur për njeriun por njeriu u shfaq për të folur për gjërat. Atij i duhet domosdoshmërisht t’i përmbushë motivet biologjike, të hajë e të pijë dhe në fund të neveritet nga teprica të cilën s’e mban dot organizmi i tij. Nëpërmjet trupit të tij aromat më të këndshme për të, shndërrohen në kundërmimet më të padëshirueshme për të. Gjatë gjithë jetës është i detyruar të mbajë brenda vetes diçka e cila bëhet aq e shpifur duke qëndruar brenda tij, saqë detyrohet të ikë prej saj kur ajo të ketë dalë jashtë tij. Por, a mund të ikë njeriu nga vetja e tij? A mund të pajtohet se ai kryen funksionin e një tubi kanalizimi dhe nuk është më shumë se sa një shtazë që flet? Ç’është të folurit, nëse me të nuk shprehim një racionalitet, qoftë ai edhe i gabuar? Nëse asgjë s’do të ishte e gabuar, a do të kishte njëmendësi dhe nëse realiteti shqisor do të ishte absolut, përse miza do të ndjente kënaqësi me gjërat që njerëzve u shkaktojnë neveri? Nëse realiteti shqisor i njeriut do të përbënte shkallën më të lartë të vërtetësisë, përse qentë do të nuhasnin më thellë se njerëzit?
Asnjë gjallese nuk i ofrohet një realitet i njëjtë dhe çdonjëri nga këto realitete është relativ. Njëlloj siç ekzistojnë organet shqisore për përkapjen e realitetit material, tek ne ekzistojnë edhe “pse-të” të cilat janë të pafundme sepse Atë të cilin duam ta arrijmë është i Pafund. “Përballë” Pafundësisë së Tij, dorëzohemi (dmth bëhemi muslimanë sepse ky është njëri nga kuptimet gjuhësore të kësaj fjale) duke ia kujtuar vetes sonë katër herë radhazi: “Allahu Ekber” që do të thotë se Ai përbën Realitetin Absolut dhe kështu fillojmë ezanin, thirrjen për namaz, i cili është njëra nga mënyrat që njeriun ta shpëtojë nga të qenët vetëm një tub nëpër të cilin hyjnë dhe dalin ushqimet apo vetëm një shtazë që flet. Kjo thirrje na jep simbolikën e fryrjes së parë të bririt (surit) nga engjëlli Israfil, fryrje kjo që jep sinjalin e vdekjes së të gjitha gjallesave, ndërkaq ikameti që pason mbas ezanit, fryrjen e dytë në bri (sur) që sinjalizon ringjalljen e të gjitha krijesave dhe paraqitjen e tyre pranë Të Vërtetës. “Pranë”, “përballë”, “paraqitje” janë vetëm shprehje të gjuhës sonë të varfër apo siç e ka quajtur një i ditur, gjuhës tragjike njerëzore, sepse ajo nuk arrinë pothuajse asnjëherë ta thotë atë që përjeton zemra e aq më pak vendndodhjen tonë në raport me Njëshin Absolut. Mbas ikametit, ngrisim duart mbi supe duke ua dhënë lamtumirën tonë shtatë ditëve tona të javës me shtatë lëvizjet e para që përbëjnë një rekat të namazit. Ashtu siç nuk mund të kuptohet një libër që e lexojmë me vëmendje të shpërqëndruar, njëlloj nuk mund të pëfitohet as nga namazi, nëse mungon prania e zemrës. Në Kuran zemra është quajtur kalb, që gjuhësisht domethënë ndryshim gjendjesh, kthim i diçkaje nga njëra anë në tjetrën apo nga njëra gjendje në tjetrën dhe me këtë emërtim nuk nënkuptohet organi i vendosur në anën e majtë të gjoksit të njeriut që pompon gjakun. Me kalb është emërtuar vetë thelbi i qenësisë njerëzore apo përmasa gjithpërfshirëse e qenies njeri. Të urtët, zemrën e kanë shembëllyer me një pus ndërkaq pesë shqisat me pesë burime që vazhdimisht derdhen në të dhe për të kuptuar se ç’po ndodh në pus, kanë parapëlqyer që përkohësisht të ndërpresin rrjedhën e këtyre pesë burimeve, që domethën të privohen informacionet e pesë shqisave me qëllim që ta kuptojmë se ç’po ngjet në thelbin apo brendinë tonë. Gjithashtu, në Kuran janë përmendur tre gjendje të zemrave: zemra e gjallë, e sëmurë dhe e vdekur. Zemra e gjallë është e mbushur me besim që me gjuhën e Kuranit është quajtur iman ndërkaq iman etimologjikisht domethënë siguri. Poashtu, edhe në hebraishte, njëra nga gjuhët më të vjetra në të cilën ka zbritur Shpallja Hyjnore, besimi është emërtuar me fjalen e ngjashme emunah që ka të njëjtin kuptim, kurse fjala amen (në terminologjinë islame: amin) që vjen nga emunah, domethënë: “në të vërtetë, padyshim, ashtu është”. Me të njëjtën fjalë, edhe sot e kësaj dite përmbyllen lutjet e tre besimeve që vijnë nga babai i profetëve, Ibrahimi a.s. Imani përfshin dijen, fjalën dhe veprimin që konsistojnë me tre veçoritë që njeriun e ngarkojnë me përgjegjësi: intelegjencën, të folurit dhe vullnetin.
Zemra e sëmurë qëndron në mes të zemrës së gjallë dhe të vdekur dhe fati i saj varet nga përpjekjet e saj. Nëse përpjekjet e saj bëhen në favor të shëndetit, bëhet zemër e gjallë, në të kundërtën, ngurtësohet dhe vdes. Zemra e vdekur nuk përulet sepse nuk mallëngjehet për takimin me Atë që “…nuk i ka dhënë asnjë njeriu dy zemra…” (33/4), duke i pamundësuar kështu çdonjërit prej nesh që t’i përkushtohet gënjeshtrës dhe të vërtetës në të njëjtën kohë.
Ne mund ta ushqejmë trupin me ushqime të dobishme apo të dëmshme, ashtu siç mund ta ushqejmë mendjen me mendime të sakta apo të rreme apo zemrën me veprime të mira a të liga dhe secila nga këto e bartë çmimin e vet të ciln ne do ta paguajmë për veten ose kundër vetes. Shtazët janë krijuar me epsh e pa intelekt, engjëjt me intelekt e pa epsh, ndërsa njeriu me të dyja. Duke poseduar të dy komponentet, ekzistenca i ofron mundësinë të ngrihet më lartë se engjëjt ose të bie më poshtë se shtazët. Pozitat në namaz janë pozitat e engjëjve që Profetit të Bekuar iu shfaqën në Miraxh. Në qiellin e parë engjëjt qëndronin vertikalisht, në qiellin e dytë ishin të përkulur, në qiellin e tretë ishin përulur në sexhde, në qiellin e katërt ishin të gjunjëzuar, në qiellin e pestë shprehnin përkushtimin e tyre duke e ngritur Lavdinë e Tij të Përjetshme, në qiellin e gjashtë e shprehnin përkushtimin për Madhështinë e Tij, në qiellin e shtatë shprehnin vetëm urime për Atë, dhe të gjitha këto i bënin qëkur ishin krijuar. Duke i përbashkuar këto shfaqje madhështore të universit, njeriu harmonizohet me lëvizjet e natyrshme të krijimtarisë dhe dëshmon me intelegjencën, vullnetin dhe të folurit e tij se Ai që e ka krijuar “…nga një pikë farë e përzier, për ta sprovuar…” (76/2), është Realiteti i Vetëm te i Cili do të kthehet nëpërmjet vdekjes. Dunjaja, figurativisht është paraqitur si një bark i madh nga i cili do të dalin qeniet njerëzore për tu ballafaquar me realitetin tjetër, ashtu siç e ndërrojnë mënyrën e jetesës kur dalin nga barku i nënave në këtë botë. Me vdekjen e trupit, vdesin të gjitha sëmundjet trupore dhe mbeten të gjitha sëmundjet shpirtërore si padituria, gënjeshtra, lakmia, mendjemadhësia, shpifja, mashtrimi, përgojimi dhe gjërat e tjera të neveritshme me të cilat shpirti është mësuar të jetojë me to në dunja por do t’i mungojnë përjetësisht në ahiret (jetën e përtejme). Në mungesë të tyre, qenia digjet dhe nuk ka dënim më të dhembshëm se sa të duash diçka që nuk mund ta kesh më kurrë, ose më drejt, ta duash relativen duke e marrë për absolute, veprim ky, që në Kuran është përshkruar “…si mirazhi në shkretëtirë e të cilin i etshmi e kujton për ujë, por, kur arrin tek ai vend, nuk gjen asgjë.” (24/39).
Zemrat e gjalla nëpërmjet diturisë arrijnë të realizojnë namazin dhe nëpërmjet namazit arrijnë të zbulojnë urtësinë që fshihet brenda tyre, prandaj, zemra është quajtur edhe xhan. Fjala xhan vjen nga folja xhenna që do të thotë fshihem (me u fshehë). Embrioni në bark quhet xhanin. Nga e njëjta rrënjë vjen edhe emri xhenet me të cilën është emërtuar parajsa. Me fjalën xhenet janë emërtuar edhe kopshtet, për shkak të dendësisë së drunjve që kanë mbuluar tërësisht tokën dhe ajo nuk është parë. Zemra meriton emrin fshehtësi sepse është vendbanimi i dashurisë, kurse dashuria është fillimi i çdo lëvizjeje. Aq sa ka zemra, ka edhe dashuri dhe aq sa janë të ndryshëm njerëzit aq janë të ndryshme dashuritë. Në botë ka dashuri që me ndarjen e të dashuruarve vjen mërzia. Ka dashuri kur nga ndarja vjen pikëllimi. Mërzia shfaqet me humbjen gjërave materiale, ndërsa pikëllimi me humbjen e gjërave shpirtërore. Në botë ka edhe dashuri që me takimin e të dashuruarve shuhet malli, por ka edhe dashuri që me takimin e tyre shtohet malli. Zemrat që janë mësuar të jetojnë me Të Vërtetën, nuk mund ta durojnë ndarjen nga Jetdhënësi, prandaj, çdo ditë qëndrojnë në pozitat engjëllore për ta shmangur vetminë e jetës së dunjasë dhe përulen përvujtnisht duke kontempluar përmallshëm për takimin me Atë. Namazi është takimi që atyre ua shton mallin për Vizionin e Bukur të Fytyrës së Atij që nga Dashuria e ka shfaqur ekzistencën me një “Bëhu!” por nuk e ka zhdukur me një “Zhbëhu!” Nga dhimbja dhe malli që ka shkaktuar ndarja, njëri nga të përmalluarit pshertinë:


Trupi nga dheu është krijuar dhe n’vendin e tij është duke jetuar
Por shpirti im është në mërgim, pret ditën e kthimit me mallëngjim
Mëshirë, o njerëz të mirë, për mërgimtarin e shkretë
që përpiqet të kthehet në vendin e vet


Çdo ditë na e shkurton jetën në këtë botë, na largon nga tregjet e saj, nga nevojat biologjike dhe konsumuese të patjetërsueshme, nga aromat dhe kundërmimet e saj, nga bukuritë dhe shëmtitë e saj dhe na afron te “vendkthimi” ynë. Çdo ditë i afrohemi Ditës në të cilën ezani nuk do të na thërras më: “Eja në namaz, eja në shpëtim”, por ne npërmjet këtij ezani do t’i kujtojmë shtatë ditët dhe shtatë qiejt e namazit, sepse “çdo gjë që është në Tokë, do të zhduket, e do të mbetet vetëm Fytyra e Zotit Tënd, plot Madhëri dhe Nderim.” (55/26-27)


Fatmir Muja

 
 

Powered by: Mevlana Art

© fatmirmuja.com