Index -> Poezi ->

GURI I ZI

Kur nisem nga Guri i Zi, shtatë tokë e shtatë qiej shfaqen brenda meje
E si mund të të falënderoj Ty, kur edhe falënderimi vjen prej Teje
Si mund të të lutem Ty, kur edhe lutja është e Jotja
Nëse s’më bën ta njoh veten, çfarë më duhet të më njohë bota?
Ata që rrotullimin në Kopshtin e Jetës s’e përjetojnë
Pëlqejnë format e frutave por frutat dot s’i shijojnë
Nëse i zgjebosuri mjaftohet me kënaqësinë që kruarja ia ofron
Ilaçin për shërim nga zgjeba kurrë nuk e kërkon
Dituria është fshehtësi që në dyert e zemrës troket
Mendja është çelësi që mund ta hapë por edhe ta mbyllë këtë shteg.
 
Njeriu pështymën e mban brenda vetes njëzet e katër orë
Po e nxori një herë nga vetja të njëjtën s’e kthen dot në gojë
Mjafton veç mendimi për këtë që të pushtohet nga neveria
Sikur të ishin edhe fjalët si pështyma, do të shpëtonim nga robëria
Derisa nuk flasim pa menduar, bota është e jona
Po kur një herë të kemi folur, bëhemi rob të fjalëve tona
Njeriu është stolia e qiejve dhe Tokës
Dituria është ndërmjetësuese midis njeriut dhe botës
Urtësia është lidhje midis njeriut dhe Së Vërtetës
Ata që e dinë këtë, marrin bardhësi nga Guri i Zi në Qendrën e Jetës.
 
O  dashamirës i kopshtit që lulëzohet!
Një poezi për Gurin e Zi s’kuptohet por veç shijohet
Aroma e trëndafilit me fjalë dot nuk shpjegohet
Ah po ç’qetësi e ëmbël në botë do të mbretëronte
Sikur njeriu për gjërat që s’i di, fare të mos kuvendonte
Padituria për mendjen është si ushqimi i helmuar që shkon në gjak
Armiku i mençur është i dëmshëm më pak se miku torollak
I pari të bën të mendosh para se dëmin ta kesh pësuar e i dyti kur të jesh dëmtuar
Po ç’t’i bësh që në këtë jetë për hir të një trëndafili, mijëra gjembave u jemi robëruar.
 
Kur nisem nga Guri i Zi, me qefinin e bardhë lumturohem
Nga e tërë bota ndahem, me tërë botën bashkohem
Perdja midis zemrës dhe së Vërtetës ngrihet e një botë tjetër shihet
Çdo gjë e panjohur mbetet, nëse vetvetja nuk njihet
Ata që për Gurin e Zi asgjë s’dinë, marrin veç poezinë
Mund të kënaqen me vargjet por jo edhe me brendinë
Gjërat nuk mund të njihen me të parë e të dëgjuar
Për ta ngrënë frytin e arrës, lëvozhgën duhet copëtuar
Mrekullitë, ose të bëjnë të flasësh shumë, ose t’i vësh fjalët në gjumë
Prandaj, edhe pse s’kam mbaruar, më duhet t’i jap fund.


Fatmir Muja
www.fatmirmuja.com

 
 

Powered by: Mevlana Art

© fatmirmuja.com